Çdo popull ka faqe të historisë së vet që mbulohen nga pluhuri i qëllimshëm i harresës dhe i propagandës.
Për dekada të tëra, një brezi të tërë shqiptarësh iu mohua e drejta për të treguar të vërtetën e vet. Ata burra që rrokën armët për të mbrojtur
pragun e shtëpisë, nderin e odës, shkollën e parë shqipe dhe kufijtë e rrezikuar të trojeve të tyre, u vulosën mizorisht me damkën më
poshtëruese të kohës — u quajtën tradhtarë e fashistë pikërisht nga ata që më vonë e shkruan historinë me gjakun dhe fatet e tyre.
Ky roman dokumentar e kthen lexuesin në pranverën e vitit 1941, në
atë epokë të papërsëritshme që populli e pagëzoi si "Tri vjetët e
Shqipërisë". Është koha kur nën komandën ushtarake Pajazit
Boletinit vihet rendi dhe drejtësia, ngrihen themelet e para të
shkollave shqipe nëpër katundet e thepisura dhe valvitet lirisht
flamuri me shqiponjën dykrenare. Por liria e fituar kërkonte çmim
gjaku. Kur bandat çetnike marshojnë për të djegur e shkrumbuar
kullat e pambrojtura, Shala e Bajgorës kthehet në një kështjellë të
pamposhtur lufte. Nën udhëheqjen e krerëve legjendarë si Ahmet
Selaci dhe Ukshin Kovaçica, të mbështetur nga trimat e Pasomës me
Adem Vocën në krye, shpërthejnë luftërat e ashpra të Shalës, ku çdo
grykë mali e çdo shkëmb kthehet në pritë hekuri për armikun.
Dhe kur rreziku kapërcen kufijtë, dy krahët e qëndresës bashkohen
në një unazë të vetme. Në Betejën vendimtare të Kolashinit të Ibrit
dhe marshimin për çlirimin e Pazarit të Ri, njësitë e Shalës bashkojnë
pushkët me djemtë e Shaban Polluzhës dhe me trimat e paepur të
Gashit të Gurit, të prirë nga bajraktari i tyre Ajet Bala. Janë përballje
titanike kreshtave të Kopaonikut, ku toger Mehmet Gradica hidhet
mbi breshëritë e mitralozave, duke i shpartalluar forcat armike e duke
i zmbrapsur thellë drejt territorit të Serbisë, në rrugën e tërheqjes drejt
Nishit. Por fati i kësaj toke nuk do të gjente qetësi. Me tërheqjen e trupave
gjermane në vitin 1944, Kosovën e pllakos stuhia më e zezë nga
brigadat partizane jugosllave të Titos, të maskuara nën ideologjinë e
kuqe.
Komandantët e Ballit Kombëtar shpallen armiq e fashist për t'u
asgjësuar me çdo kusht. Rrëfimi kulmon me rrethimin epik të
Kovaçicës, ku vetëm nëntë burra shaljanë, të ngujuar në mes të një
acari me dy metra dëborë, me një plakë që u gatuan bukë e me dy
djem të njomë që u mbushin fishekët, i bëjnë ballë për tetë ditë e
nëntë net një batalioni të tërë të armatosur deri në dhëmbë. Më pas,
tragjedia zhvendoset thellë në Drenicë, ku mbi tridhjetë mijë ushtarë
rrethojnë kryengritësit e fundit dhe ku vëllai përballet ballë për ballë
me vëllanë.
Format: A5, botim me referenca dhe kronologji të dokumentuar.